miku Mars 30, 2017

Luan lojëra

Lojërat në internet janë shumë tërheqëse për shumë fëmijë. Ata ndjejnë kënaqësi të madhe duke luajtur lojëra dhe për shumë prej tyre kjo është përvoja e parë kur ata përdorin kompjuterin dhe internetin. Ata zakonisht vizitojnë faqe të ndryshme në internet ku mund të luhen lojëra. Me rritjen dhe zhvillimin e tyre, fëmijët fillojnë të eksplorojnë lojëra më të ndërlikuara dhe që përfshijnë lojëra në grupe të ndryshme online.  Është e rëndësishme që ju si prindër të jeni vazhdimisht të përfshirë në lojërat që fëmija juaj luan. Para se ta lejoni fëmijën tuaj të luajë lojëra në internet, ju duhet të kontrolloni  moshën për të cilën preferohet të luhet ajo lojë.

Mënyra më e lehtë që të dini më shumë rreth asaj çka fëmija juaj luan është të luani bashkë me të. Provojeni që fëmija juaj të ju mësojë lojën, dhe nëse atyre ju pëlqen kjo, atëherë ju mund të luani së bashku.  Gjërat që duhen të ju interesojnë kur fëmija juaj luan lojëra janë se pse ata e pëlqejnë atë lojë, çfarë kënaqësie ndjejnë kur ata luajnë, kush tjetër nga shokët apo shoqet e luan në të njëjtën lojë, etj. Pra, është e rëndësishme që rregullisht të jeni në dijeni dhe të pyesni fëmijën tuaj rreth lojërave që ata luajnë dhe njerëzit me të cilët janë shokë/shoqe.

Kur fëmija juaj ju tregon për ndonjë lojë që ata luajnë apo duan të luajnë, hulumtoni më shumë rreth asaj loje paraprakisht. Zakonisht, lojërat që janë për grup mosha të caktuara kërkojnë që përdoruesit të hapin një llogari e cila kërkon lejen nga prindi. Kjo do të thotë që fëmija duhet ta fus emailin e njërit nga prindërit gjatë regjistrimit të llogarisë. Ju pastaj do të merrni një email i cili pyet për pëlqimin tuaj nëse doni që fëmija juaj të i bashkohet asaj loje. Kërko nëse ajo uebfaqe ka ndonjë këshillë për prindërit apo kujdestarët e fëmijëve që do të ju ndihmonte në mbrojtjen e fëmijës tuaj.  Është e rëndësishme që të lexoni mirë këto informata dhe të raportoni ndonjë gjë tek uebfaqja.

Ju duhet të flisni vazhdimisht me fëmijën tuaj për atë se duhet pasur kujdes se me kë ata luajnë. Ndihmoni që të kuptojnë se nuk është gjë e mirë që me të panjohurit në lojë të shpërndajnë informata personale si emrin dhe mbiemrin, adresën, fjalëkalimet, numrat e telefonit, emrin e shkollës që ata shkojnë etj. Shumica nga ata që luajnë lojëra në internet janë fëmijë por disa nga ata mund të jenë edhe të rritur që kanë qëllime të këqija. Tregoni fëmijës tuaj se si nganjëherë disa njerëz mund të gënjejnë se kush janë me të vërtetë dhe mundohen të joshin fëmijën tuaj.

Është e rëndësishme që ta mësoni fëmijën tuaj të sillet mirë me të tjerët që janë në lojë ashtu sikur të ishin duke lozur në kopsht. Gjithmonë, jepni mesazhe se si të jenë më të sigurt.  Ata duhet të dinë që nuk do t’i lejohet të luajnë nëse janë arrogant ndaj të tjerëve në lojë. Gjithashtu, pyesni ata nëse dikush gjatë lojës ka qenë i ashpër me ta dhe ka përdorur gjuhë fyese. Fëmijët nuk duhen t’u përgjigjen këtyre njerëzve dhe duhet të ju tregojnë juve sa më parë në mënyrë që t’i ndihmoni.

Shoqërohet me shokë/shoqe

Shumë nga shërbimet që i përdorim online na lejojnë që të krijojmë një rreth miqsh. Kjo duhet të jetë e njëjtë edhe për fëmijët tuaj. Zakonisht, në lojërat që ata luajnë do të kenë kërkesa që të bëhen miq me fëmijë të tjerë dhe në shumë rrjete shoqërore ata kanë mundësinë që të pranojnë apo jo ato kërkesa për t’u bërë miq. Ndihmoni fëmijët tuaj që të kuptojnë:

  • Kush janë miqtë me të cilët ata komunikojnë. Njerëz të ndryshëm mund të flasin me fëmijën tuaj dhe të kenë qasje në informata personale të tyre. Fëmijët duhet të kenë miq vetëm ata të cilët i njohin edhe në botën reale.
  • Kush i sheh se çka janë duke bërë. Fëmija juaj duhet të dijë se çfarë informata miqtë e tij/saj mund të shohin pasi disa nga ‘miqtë’ mund t’i përdorin ato informata për qëllime të këqija ose për t’i manipuluar ata.
  • Çka të bëjnë nëse njerëzit janë të pasjellshëm. Ka shumë njerëz të cilët mund të jenë shumë të pasjellshëm në internet dhe është e rëndësishme që fëmija juaj të dijë që ka mundësinë e bllokimit apo raportimit të atij personi.

Bisedon me njerëz

Fëmijët e përdorin internetin për të folur me njerëz në mënyra të ndryshme si: emaili, mesazhe të menjëhershme, biseda përmes kamerës dhe dhoma diskutimi (chat rooms). Biseda në internet mund të jetë ndryshe nga ajo ballë për ballë pasi që është më e lehtë të thuhen dhe të zbulohen gjëra që nuk do t’i bënin në botën reale. Në moshë më të vogël , duhet të dini se me kë flasin në mënyrë që t’i mbroni nga ndonjë rrezik që ata mund të hasin.

Mesazhe të menjëhershme (instant messenger) është një mënyrë shumë e mirë për të biseduar me miqtë dhe familjen duke ofruar privatësi dhe vetëm njerëzit e përfshirë në bisedë mund të shohin atë që është shkruar.Kur fëmija juaj komunikon me miqtë në këtë aplikacion, mesazhet e shkruara  paraqiten menjëherë  në ekran duke ofruar një bisedë direkte dhe reale. Aplikacioni mundëson që të gjithë miqtë  të shihen në formë të listës. Kjo listë tregon kur ata janë në internet në të njëjtën kohë me ju që ju mundëson të bisedoni me ta. Duke biseduar me miq të ndryshëm në internet, fëmijët mund të përdorin kamerën duke mundësuar që të shihen direkt dhe të bisedojnë me zë në të njëjtën kohë edhe nëse miqtë e tyre janë në një shtet tjetër.

Dhomë diskutimi është një forum ku grupe njerëzish takohen online për të biseduar për tema të ndryshme. Ndonjëherë, këto dhoma diskutimi janë të rregulluara në atë mënyrë ku një program kompjuterik bën kërkim për gjuhë ose sjellje jo adekuate.

Përdorimi i mesazheve elektronike (email) është një mënyrë shumë e veçantë për të komunikuar me miqtë dhe familjen.  Mesazhet elektronike tashmë janë bërë pjesë e punës së përditshme në shumë biznese dhe institucione për komunikim zyrtar. Fëmijët tuaj mund të dërgojnë mesazhe elektronike tek shumë njerëz në të njëjtën kohë kudo që gjenden në botë. Gjithmonë duhet të keni parasysh që njerëzit të cilët i pranojnë mesazhet nga fëmijët tuaj të jenë njerëz të njohur për fëmijët tuaj.

Shërbimet si ‘Skype’ mund të përdoren pa ndonjë pagesë dhe janë bërë shumë të popullarizuara. Bisedat përmes kamerës lejojnë që edhe ta shihni personin me të cilin flisni.Kjo mund të jetë një mënyrë argëtimi që fëmijët të bisedojnë më njëri tjetrin, megjithatë, është e rëndësishme që të kihet parasysh se atë çka shohin fëmijët, mund të regjistrohet dhe të shpërndahet me njerëz të tjerë në mënyra të padëshirueshme.

Fëmija juaj mund të kërkojë që të kenë një email adresë. Duhet të keni kujdes nëse ata janë mjaft të rritur dhe të pjekur që të kenë një adresë të tyre që do t’i jepte atyre pak pavarësi si mundësia e regjistrimit në uebfaqe të ndryshme. Nëse fëmija juaj do që të hap një adresë, këta janë disa hapa të thjeshtë që duhet t’i ndërmerrni në mënyrë që ata të jenë të sigurt:

  • Krijojeni llogarinë bashkë me ta – kjo do të ju jepte një ide të mirë se çfarë informata personale kërkohen si dhe funksionaliteti i llogarisë.
  • Kontrolloni mundësitë për monitorim – shërbime të ndryshme të popullarizuara tani kanë kontrolle prindërore që mund të ju asistojnë me nivelin e kufizimit të llogarisë. Disa prej tyre e kanë edhe mundësinë që të keni një llogari familjare ku ju mund të shihni emailat që pranohen dhe faqet ku fëmija juaj regjistrohet. Nëse kjo është e pamundur, ju mund ta keni fjalëkalimin e llogarisë veçanërisht për moshat më të reja.
  • Kërkoni nga fëmija juaj që t’i dërgojë emaila vetëm njerëzve që i njohin dhe i besojnë edhe në botën reale.
  • Kërkoni nga fëmija juaj që asnjëherë të mos klikojë në emaila që vijnë nga persona që nuk i njohin apo të klikojnë në linqe të panjohura
  • Inkurajoni fëmijën tuaj që të ju tregojë nëse sheh diçka online që i shqetëson pasi ju mund t’i ndihmoni

Shpërndan material

Shumë nga faqet që fëmijët tuaj i përdorin i inkurajojnë ata që të ndajnë me të tjerët copëza informatash për veten e tyre.  Ata mund të ndajnë gjëra si opinione se çka ata pëlqejnë e çka jo, çka janë duke bërë, fotografi të tyre, informata për veten e tyre si emri dhe ku jetojnë, video dhe muzikë. Interneti është një vegël shumë e mirë për shpërndarjen e këtyre informatave dhe mund të jetë argëtim të dini se çka bëjnë dhe me çka merren shokët/shoqet tuaja. Megjithatë, është e rëndësishme që fëmijët të mendojnë para se të shpërndajnë informata personale të tyre. Ju duhet të mësoni fëmijën tuaj që të mos shpërndajë fotografi dhe video pa lejen tuaj, të kufizojë dhënien e informatave personale si për shembull të mos e tregojnë adresën apo shkollën se ku shkojnë, dhe të shpërndajnë informata personale vetëm me shokët/shoqet që i njohin.

Kërkon material

Faqet e kërkimit si Google, Yahoo, Bing, etj. na e bëjnë jetën më të lehtë duke e rregulluar ‘kaosin’ në internet dhe duke na lidhur me uebfaqe të ndryshme që na duhen. Në një botë ku informatat janë aq lehtë të qasshme, është shumë lehtë që fëmijët të hasin në gjëra që mund t’i shqetësojnë apo dëshpërojnë ata. Ata gjithashtu mund të hasin në uebfaqe të ndryshme që nuk janë të përshtatshme për moshën e tyre. Përderisa shumica e prindërve dhe kujdestarëve i besojnë fëmijëve të tyre se çka bëjnë online, për nga natyra fëmijët janë kuriozë dhe mund të kërkojnë fjalë të papërshtatshme pa e menduar se çfarë rezultate do të marrin. Një mënyrë e thjeshtë që të ndihmoni fëmijën tuaj të mos shikojë gjëra që nuk duhet është që t’i ndërroni kontrollet në faqet e kërkimit. Kjo ka për qëllim që të ndal faqen e kërkimit të shfaq material që mund të mos jetë i përshtatshëm për fëmijët.

Përdor telefon celular

Se a duhet që fëmija juaj të përdor telefon celular apo jo është një vendim i vështirë që duhet të bëni. Të pasurit e një telefoni celular është përgjegjësi e madhe. Nëse jeni duke e konsideruar opsionin që t’i bleni fëmijës tuaj telefon celular është e rëndësishme që të jeni në gjendje ta ndihmoni fëmijën tuaj ta menaxhojë përdorimin e tyre. Telefoni celular është një mënyrë shumë e mirë për fëmijën tuaj të jetë në kontakt me ju. Ju ndjeheni më rehat dhe fëmija juaj kontakton më lehtë me shokët/shoqet. Sot, një numër i madh i fëmijëve posedojnë telefon celular. Keni kujdes se telefonat celular tani janë si kompjuterë të vegjël dhe zakonisht ofrojnë funksione të njëjta që mund t’i keni në kompjuter. Në shumë telefona mobil tani mund:

  • Të keni qasje në internet e cila pothuajse nuk është asgjë më ndryshe se qasja nga kompjuteri. Fëmijët mund të vizitojnë çfarëdo faqe online duke përfshirë Facebook, YouTube apo ndonjë faqe të papërshtatshme për moshën e tyre.
  • Të fotografoheni dhe të shpërndani foto apo video. Shumica e telefonave mobil tani e kanë të integruar aparatin fotografik. Fëmijët mund të fotografohen dhe të dërgojnë këto foto shumë lehtë dhe pa pagesë, përmes ngarkimit të tyre në internet, emailit apo madje edhe përmes mesazheve telefonike.
  • Të bisedoni me mesazhe të menjëhershme, video apo tekst mesazhe telefonike. Fëmijët mund të marrin pjesë në biseda private me njerëz përmes telefonit mobil.
  • Të tregoni vendin se ku ndodheni. Përmes shërbimit GPS, shumë telefona mund të identifikojnë lokacionin në kohë reale se ku ndodhet përdoruesi. Kjo pastaj mund të shpërndahet në rrjete sociale dhe në faqe apo aplikacione tjera.
  • Të luani lojëra. Fëmijët mund të përdorin telefonat e tyre për të luajtur lojëra dhe të shkarkojnë lojëra të reja të cilat mund të jenë edhe me pagesë.

Me gjithë këto funksione, biseda me njerëz tani është vetëm një pjesë e vogël nga ato se për çka mund të përdoren telefonat mobil. Prandaj, mund të jetë e vështirë të kontrollohet se çka bën fëmija juaj në një telefon të tillë që i përkrah këto shërbime dhe aplikacione. Të keni parasysh se ju gjithmonë mund të bleni një telefon më të thjeshtë për fëmijën tuaj. Kjo edhe preferohet të bëhet për fëmijët e moshës më të vogël. Masat e sigurisë që ja caktoni fëmijës tuaj në jetën e përditshme duhet t’i aplikoni edhe në përdorimin e tyre të telefonit mobil.

Disa pajisje telefonike e japin mundësinë që të kontrolloni telefonin e fëmijës tuaj. Kjo përfshin bllokimin e qasjes në faqe të ndryshme dhe monitorimin e aktiviteteve të fëmijës tuaj. Kur të vendosni që është koha e duhur që fëmija juaj të ketë një telefon celular, keni parasysh shërbimet që ofrohen nga operatori dhe nga vetë pajisja telefonike. Diskutoni me fëmijën tuaj se çka është mirë të shpërndahet nga informatat personale me të tjerët dhe çka nuk bën të shpërndahet. Diskutoni pasojat që do të mund të shfaqeshin.

Leave a comment.

Your email address will not be published. Required fields are marked*